Nuk ndodhin shpesh, por ama ekzistojnë, ndaj dhe për çdo rast, ju, veçanërisht femrat, duhet të jenë të përgatitura, të kujdesshme dhe të mos ia lënë gjërat rastësisë. Është fjala për ceremonitë apo festat që organizon puna dhe që nuk janë as punë e as festë, por më shumë një takim për një rast të veçantë me drejtuesit e kompanisë, partnerët apo kolegët. Këto janë raste tepër të rëndësishme, ku ju jepet mundësia të tregoni një pjesë tjetër tuajën që mund të ndikojë pozitivisht në karrierën tuaj, por nga ana tjetër, bëni kujdes. Edhe një gabim i vogël, një sjellje e papërshtatshme apo një fjalë e thënë pa vend mund t’ju kushtojë shtrenjtë në karrierën tuaj. Çdo gjë varet nga mënyra se si do të silleni. Ja disa këshilla praktike për t’ia dalë mbanë në të tilla raste.
Pjesëmarrja është e detyrueshme
Nëse mendoni se në këto raste pjesëmarrja është “me dëshirë”, atëherë gaboheni. Prania juaj është tregues i respektit dhe besimit që keni ndaj kompanisë ku punoni. Prandaj këshillohet që të mos e çoni ndër mend shprehjen “pse duhet të shkoj”, “atje do mërzitem” etj., pasi mospjesëmarrja do të fiksohet si një minus i madh për ju.
Imazhi vlen shumë
Mbrëmja është një shans shumë i mirë që ju të dukeni ndryshe nga ditët e zakonshme të punës. Veshja duhet të jetë e veçantë, të mos ngjajë me veshjen rutinë të zyrës, pasi ndryshe do të duket se për ju, kjo ngjarje nuk ka rëndësi dhe se keni ardhur si me detyrim. Por, bëni kujdes që të mos e teproni me veshjen e të ruani stilin tuaj, pasi nëse zgjidhni të vishni për shembull një dekolte të ekzagjeruar, mendimi që kolegët mund të krijojnë për ju mund të jetë me pasoja jo të mira për karrierën tuaj.
Për çfarë nuk duhet të flisni
Mirë është që në mbrëmje të tilla të mos flisni vazhdimisht për punën, pasi të tjerët do të mendojnë se ju s’keni asnjë interes tjetër. Në këtë mënyrë rrezikoni të dukeni tepër e mërzitshme. Mundohuni të shijoni momentin e të përfshiheni në biseda. Mund të flisni për çështje pune në momentin nëse do të jetë e nevojshme, nëse do të flitet për arritjet e kompanisë dhe për objektivat e së ardhmes.
Nuk është momenti për negociata
Në mbrëmje të tilla, duke marrë parasysh se të gjithë duken si të barabartë, mos bëni gabim që të përfitoni nga situata e të hapni me shefin tuaj, meqenëse duket në humor të mirë, çështje të tilla delikate, si: rritja në pozicion, rishikimi i pagës etj., pasi në 99% të rasteve do të ketë një efekt krejt të kundërt dhe mbase do të humbisni për një kohë shumë të gjatë shansin për të diskutuar për këto tema me qetësi dhe në momentin e duhur.
Njihni kufijtë tuaj
Çdo lëvizje në këto mbrëmje është tejet e rëndësishme, prandaj kini kujdes që të mos e teproni në asnjë drejtim. Mbani nën kontroll konsumin e pijeve, në asnjë mënyrë nuk duhet të tejkaloni masën. Mos u ekspozoni shumë dhe mos qeshni me zë tepër të lartë etj. Gabime të tilla do të bënin që ju të ktheheshit në temën kryesore të thashethemeve të zyrës e në rastin më të keq, mund t’ju pushojnë edhe nga puna. Kjo do t’ju cenonte reputacion, një sinjal jo i mirë ky për karrierën.
Nëse ia arritët të dilni mirë dhe të keni parasysh këto rregulla, atëherë rrini e qetë. Për mbrëmjen e radhës keni fituar përvojën e duhur dhe ku mund të keni gabuar, do të keni mundësi t’i çoni sërish gjërat në vendin e duhur.