Skulptori Ilirjan SHIMA u formua në AAB, Tiranë, në atelienë e prof. Thoma Thomait dhe Kristo Krisiko. Akademia e Arteve të Bukura, Tiranë, krahas ateliesë së skulpturës së kavaletit dhe asaj monumentale, prej gati 1 dekade kishte krijuar atelienë e arteve të aplikuara, ku realizoheshin ato vepra që kishin lidhje me prodhimin e objekteve nga ndërmarrjet artistike të kohës si: vazo të ndryshme në qeramikë të pjekur e të glazuruara, pjata dekorative, figurina etj. Skulptori Shima pas mbarimit të studimeve të larta punoi për rreth një vit e gjysmë në ndërmarrjen artistike “Migjeni” në Tiranë e në vitin 1991 vendoset me banim në Athinë – Greqi. Ekspozon që në vitet studentore në ekspozitat kolektive në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë (1988 91) dhe në Athinë (1991) në Galerinë “OLGA GEORGANDEA”. Në periudhën 14-vjeçare të krijimtarisë së Shimës në Athinë vërejmë se ai realizon vepra në skulpturë në formë ciklesh dhe në dekoracion duke i realizuar ato në materiale cilësore si mermere (Dionisi, Kapandriti, Kavala, Pendeli), dru (kabon, play wood). Ciklet e veprave skulpturore të Shimës, veçanërisht ato të 5 viteve të fundit, marrin frymëzimin nga frutat dhe autoveturat. Cikli i frutave (molla, shega, hudhra, arra etj.) paraqet qartë aftësitë e skulptorit për krijimin e një plastike interesante, të plotë e të “ngrohtë”. Delikatesa në mënyrën e trajtimit të mermerit, forma e mbyllur dhe gjetja e përmasave kanë krijuar vepra skulpturore mjeshtërore. Në ciklin “caravan”, Shima merr frymëzimin nga format dhe volumet e autoveturave reale për ti kthyer ato në vepra arti të veçanta, ku shpesh plastika bëhet mbizotëruese në komunikimin me spektatorin. Një rëndësi në realizimet e veprave të Shimës ka dhe përzgjedhja e ngjyrës dhe materialit cilësor të mermereve që ai përdor për gdhendje. Shpesh të krijohet ideja se veprat e tij janë të modeluara me “plastelinë të butë”, magjija e kalimit të formave natyrshëm, por me mjaft mjeshtëri të befason dhe të mban gjatë para veprave të skulptorit për ti admiruar. Shima ka realizuar edhe vepra për interieret e disa institucioneve në Athinë, ku sigurisht zgjidhjet kompozicionale të tij janë të veçanta e të lidhura me temën që trajtojnë. Në fushën e realizimeve të dekoracioneve për porositësit e veçantë të vilave luksoze të Athinës dhe të ishujve grekë, emri i Ilirjan Shimës ka disa vjet që kërkohet të jetë i pranishëm në mjediset e tyre. Shima në krijimtarinë e tij ka realizuar oxhakë dekorativë, tavolina, lavamanë e pasqyra me gdhendje arti, ku spikat intuita artistike e zgjidhjeve kompozicionale dhe mbi të gjitha magjija e një talenti të veçantë. Elemente të thjeshtë dekorativë si gjethe ulliri, gjethe akanthi, gjethe hardhije dhe vile rrushi, bëhen pjesë e rëndësishme e këtyre orendive që tashmë marrin dimensione të tjera estetike, duke i kthyer ato në vepra të vërteta arti dekorativ.Vepra më e re e Ilirjan Shimës me titull “MELODY” (ekspozuar në Berlin dhe Athinë), ka tërhequr vëmendjen e kritikës aktuale greke (revista greke “Zë dhe Imazh”, tetor 2005), ku evidentohet gjetja e veçantë e artistit si “Veza e Kolombit” si dhe sekreti i vendosjes së veprës të varur vertikalisht nga lart, që duke qenë se ka lidhje me vendosjen e autoparlanteve brenda tyre (të firmës amerikano angleze greke “Cristal audio”) krijon një magji dëgjimi muzikor të jashtëzakonshëm. Vepra që pritet të ekspozohet në Galerinë “TITANIUM” Athinë, në pranverën e vitit 2006 në ekspozitën e tij vetjake, që titullohet nga artisti “Trekëndëshi i krijimit” përbëhet nga tri vepra arti në formë gati konike të realizuara në dru. Ato kanë brenda tyre autoparlantë muzikorë dhe vendosen në formë trekëndëshi para një figure njerëzore (imazhi i realizuar nga autori) e gjetur mbi një vath të vjetër ilir. Kompozitori shqiptar Norbert Mazi, tashmë me banim në Kanada ka kompozuar posaçërisht një ninullë, e cila do të dëgjohet nga autoparlantët e instaluar në këtë vepër arti. Ideja e autorit Shima është që në mënyrë sintetike artistike të jepet ideja e krijimit të “ILIRIT” si imazh dhe personazh nga është dhe vetë origjina e shqiptarit Ilirjan Shima. Vepra e tretë në dru, që po realizohet në studion e artistit Shima, ka përmasat e 2.5 m dhe do të ketë edhe funksionin e nxjerrjes (nga autoparlanti i instaluar) së tingujve të basit në një formë të jashtëzakonshme.Revista “Monitor” duke prezantuar krijimtarinë e artistit Ilirjan Shima krijon mundësi të reja komunikimi me veprat e tij të gjinive të ndryshme si në skulpturë dhe në dekoracion. “Monitor” fton studiot e arkitektëve si dhe lexuesit, të cilët dëshirojnë të kenë në koleksionet familjare veprat e skulptorit Shima. Veprat në skulpturë të realizuara në mermeret grekë të cilësisë së lartë (Dionisi, Kavala, Pendeli), gur poroz, dru etj., do të krijonin në mjediset familjare me hapësira apo në salla e studio kompanish një imazh të ri. Ndërsa veprat e artit dekorativ për mjediset e brendshme si oxhakë, lavamanë, korniza pasqyrash dhe tavolina të projektuara nga artisti Shima, do të nderonin çdo porositës që do të krijojë një imazh bashkëkohor në arredimin e brendshëm të vilave apo apartamenteve luksozë në Shqipëri. Në pranverën e këtij viti një vepër e autorit e ciklit “Caravan” u ble nga një biznesmen shqiptar (çmimi 10 000 euro) për dhuratë.Përveç veprave në skulpturë ju mund të komunikoni me ne dhe mund të porositni sipas imazheve të ofruara për tavolina, pasqyra, lavamanë dhe oxhakë që janë të gdhendur dhe mbajnë firmën e skulptorit Shima. Çmimi i veprave të skulptorit Ilirjan Shima luhatet nga 4 200 – 60 000 euro.
Ylli Drishti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.