Komisioni i Konkurrencës ka deklaruar se “Romano Port” SHA ka abuzuar me pozitën e saj dominuese në tregun e ofrimit të ngarkim-shkarkimit të gazit të lëngshëm (GLN) në zonën e Porto Romanos.
Komisioni vendosi me shumicë votash gjobitjen për këtë shkelje të rëndë të ndërmarrjes “Romano Port” SHA në masën 2.35% të xhiros totale të kësaj ndërmarrje për vitin 2010 që korrespondon me shumën 6.7 milionë lekë.
Gjatë hetimit u konstatua se ndërmarrja “Romano Port” duhet të ofrojë shërbimin e ngarkim shkarkimit të naftës, gazit, e nënprodukteve të tyre për çdo subjekt që paraqet dokumentet përkatëse.
Por “Romano Port” SHA i ka kërkuar ndërmarrjeve “Mare Oil” SHA dhe “Prima Gas Albania” SHA për të shkarkuar anijeve e tyre me GLN në Portin “Porto Romano”, përveç dokumenteve, edhe një sërë dokumentash shtesë duke tejkaluar detyrimet ligjore të saj.
Nga ana tjetër, ajo nuk ka kërkuar dokumenta shtesë për disa ndërmarrje që veprojnë në fushën e importit dhe tregtimit me shumicë të naftës,te cilat gjatë periudhës objekt hetimi kanë marrë shërbimin e shkarkimit të naftës duke shfrytëzuar depozitat e tyre.
Në këtë mënyrë “Romano Port” SHA. ka zbatuar kushte të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët..
Gjithashtu, ndërmarrja “Romano Port” SHA ka kushtëzuar shkarkimin e anijeve me GNL me nënshkrimin e një kontrate tip, e cila i ngarkon me detyrime të tjera shtesë operatorët ekonomikë që duan të shkarkojnë produktet e tyre në depozitat që kanë ndërtuar në zonën bregdetare pavarësisht se një gjë e tillë nuk parashikohet as në marrëveshjen koncesionare dhe as në rregulloren e funksionimit të portit.
Në disa nene të kësaj kontrate tip, Romano Port i kalon importuesve disa detyrime të cilat ligji ia ngarkon koncesionarit.
Si konkluzion, Komisioni i Konkurrencës konstaton se ndërmarrja “Romano Port” SHA zotëron pozitë dominuese në tregun e ngarkim-shkarkimit të GLN-së në rrugë detare gjatë periudhës objekt hetimi.
Ky operator në mënyrë të përsëritur ka refuzuar të realizojë procesin e shkarkimit të GLN-së për operatorët që kanë investuar për kapacitet depozituese në pronësi të tyre duke paraqitur arsye të paligjshme dhe të paarsyeshme. Ky refuzim lidhet me interesat ekonomike të drejtpërdrejta të këtij operatori në tregjet e rrjedhës së poshtme pra, atë të depozitimit dhe të tregtimit me shumicë të GLN-së, duke sjellë kufizimin e konkurrencës në këto tregje
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.