Zbatimi i strategjisë për prokurimin publik ka kaluar së fundmi në analizë sa i takon arritjes së objektivave të vendosur.
Agjencia e Prokurimit Publik (APP) saktësoi në raportin e saj të radhës të monitorimit se nga 10 tregues performance, janë nxjerrë të dhëna për 8 prej tyre.
Për këta tregues, rezulton që janë realizuar në masën 100% 6 prej tyre, dy prej tyre nuk janë realizuar dhe per dy të tjerë nuk ka qenë e mundur nxjerrja e të dhënave.
“Gjatë vitit 2021, ka pasur zhvillime në të gjitha qëllimet e politikave të strategjisë dhe në përgjithësi ka pasur një shkallë realizimi të kënaqshme sa i takon aktiviteteve dhe treguesëve të perfromancës.
Nga monitorimi rezulton se 15 aktivitete (45%) kanë mundur të realizohen plotësisht, ndërsa 11 (33%) janë në proces dhe janë realizuar pjesërisht, 6 (18%) nuk janë realizuar dhe për 1 aktivitet (3%) nuk ka informacion.
Ndërkohë, 60% e treguesve të përformancës janë realizuar 100%, 20% nuk u realizuan dhe pjesa tjetër e tregueseve (20%) nuk u matën pasi mungonte informacioni” thuhet në dokument.
Por cilët janë në fakt objektivat apo treguesit kyç ku është bërë avancim me rezultate të mira dhe ato ku ka pasur pak ose aspak rezultat?
Duke qenë se ligji i prokurimeve është relativisht i ri, ecuri të mirë ka shënuar plotësimi me akte nënligjore i tij për ta bërë sa më të zbatueshëm. Po kështu edhe trajnimi i punonjësve të Agjencisë në funksion të fuqizimit të kapaciteteve njerëzore.
Nuk ka pasur ecuri të mire, nga ana tjetër, rishikimi i kritereve specifike që duhen plotësuar për punonjës prokurimi dhe rishikimi i përshkrimeve të punës për këto pozicione në institucionet pjesë e fushës së veprimit të legjislacionit për nëpunësin civil, në përputhje me legjislacionin për prokurimin publik dhe me këtë strategji, si dhe hartimi dhe miratimi i tyre për të njëjtat pozicione në institucionet e tjera.
Insitucionet kanë dështuar gjithashtu në analizimin e funksionimit të tregut publik, duke u bazuar njëkohësisht edhe në këndvështrimin e blerësve (autoriteteve kontraktore), edhe në atë të operatorëve ekonomikë. Po kështu, nuk vërehen përmirësime në ngritjen e një forumi për konsultim dhe dialog me sektorin privat apo hartimin e dokumenteve udhëzues për përmirësimin e funksionalitetit dhe atraktivitetit të tregut të sektorit publik për SME-të.
Në një shtojcë të veçantë, APP vëren se, të përmbledhura mbi rezultatet e treguesve kyç të performances, më mirë në vitin 2021 shfaqet cilësia e mallrave dhe shërbimeve të fituar, rritja e transparencës për koncesionet, përmirësimi i planifikimit të prokurimeve apo eficienca e dhënies së kontratave.
Më keq paraqitet promovimi i konkurrencës në treg si dhe standardizimi i shërbimeve të ofruara nga organet publike. Pa ndonjë ecuri mbresëlënëse shfaqen edhe promovimi i pjesëmarrjes së SME-ve në prokurime si dhe treguesi që lidhet me rritjen e përfitimeve mjedisore dhe sociale të shërbimeve të ofruara nga organet publike. / N. Maho.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.