Vetëm në shtator, periudhë kur u ndërruan zyrtarisht pushtetet, të ardhurat në buxhet ishin 24.5 miliardë lekë, duke qenë 6.5% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe rezultati më i dobët që nga shtatori i vitit 2008….
Të ardhurat në buxhet arritën në 235 miliardë lekë për periudhën janar-shtator 2013, duke qenë 4% (rreth 10 miliardë lekë) më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 23.4 miliardë lekë më pak se plani vjetor.
Shifrat bëhen të ditura në tabelat fiskale të periudhës janar-shkurt, të publikuara nga Ministria e Financave.
Vetëm në shtator, periudhë kur u ndërruan zyrtarisht pushtetet, të ardhurat në buxhet ishin 24.5 miliardë lekë, duke qenë 6.5% më pak se e njëta periudhë e vitit të kaluar dhe rezultati më i dobët që nga shtatori i vitit 2008.
Për 9 mujorin, të ardhurat nga tatimet e doganat ishin 162 miliardë lekë, me një rënie prej 6.5% (apo 11.2 miliardë lekë) në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në krahasim me planin, buxhetit i mungojnë nga dy institucionet kryesore që mbledhin të ardhurat në vend 23 miliardë lekë.
TVSH-ja vijon të jetë zëri që në vlerë absolute ka rendimentin më negativ në mbledhjen e të ardhurave buxhetore, duke ndikuar në gati 65% të rënies. Sipas të dhënave nga financat, të ardhurat nga TVSH ishin rreth 79 miliardë lekë në fund të 9 mujorit, duke u tkurrur me 8.4%, apo 7.2 miliardë lekë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Zëri i dytë më negativ porsa i përket rënies në vlerë absolute është ai i akcizës, që arriti në rreth 26 miliardë lekë, me një rënie prej 8.9% apo 2.5 miliardë lekë, në raport me periudhën janar-shtator 2012.
Edhe tatim fitimi zbriti me 1.2 miliardë lekë, apo 9.3%, në 11.5 miliardë lekë.
Me ecuri pozitive ishin të ardhurat personale, që u rritën me 6.8% (1.4 mld lekë) në 21.7 miliardë lekë.
Në buxhetin e rishikuar së fundmi, parashikohet që mosrealizimi i të ardhurave të jetë rreth 40 miliardë lekë, duke parashikuar kështu një gropë prej 17 miliardë lekësh për vetëm 3 muaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.