Një plan për vaksinimin!
Me valën e pandemisë që nuk duket se ka të ndalur, e ndikuar dhe nga format e reja që po merr virusi, vaksinimi i popullatës po shihet si zgjidhja e vetme në shumë shtete të botës për të frenuar përhapjen e tij dhe për të krijuar imunitetin e tufës.
Për fat të mirë, të dhënat e para nga shtetet që kanë ecur përpara me këtë proces tregojnë se ai po jep efekt. Izraeli, një nga shtetet që ka ecur më shpejt me procesin e vaksinimit, ka bërë të ditur se dozimi i popullsisë mbi 60 vjeç ka dhënë efekt.
Teksa mbi 80% e popullsisë mbi 60 vjeç e kanë marrë dozën e parë, Izraeli bëri të ditur se tek kjo grupmoshë kishte 56% më pak infeksione, 42% më pak shtrime në spital dhe 35% më pak vdekje nga COVID-19 pas dozës së dytë. Pozitive ishin rezultatet dhe në Mbretërinë e Bashkuar, një nga shtetet e Europës që ka arritur të vaksinojë më shpejt popullsinë e vet.
Ndërsa shumë shtete nuk po arrijnë të ecin me të njëjtat ritme, të paktën kanë qenë transparente për planet e vaksinimit, kategoritë më të riskuara që do ta marrin atë më shpejt, si dhe numrin e saktë të personave që do të vaksinohen.
P.sh., në Mbretërinë e Bashkuar, grupet e prioritetit për vaksinimin janë punonjësit e sistemit shëndetësor, shtëpitë e të moshuarve, ata që kujdesen në shtëpi për të moshuarit, si dhe grupmosha mbi 80 vjeç dhe ajo 70-80 vjeç, që duhet të mbarojnë vaksinimin brenda shkurtit, përfshirë dhe personat me shenja të rënda klinike nën 70 vjeç, sipas BBC.
Deri në prill, synohet vaksinimi i popullsisë 50-69 vjeç, si dhe grupmosha 16-64 vjeç, me kushte të rënda shëndetësore, ose që kujdeset falas për të moshuarit dhe personat me paaftësi. Deri në vjeshtë, programi i Mbretërisë së Bashkuar synon vaksinimin e gjithë popullsisë së rritur. Italia, po ashtu, planifikon vaksinimin në 4 faza.
E para përfshin personelin e shërbimit shëndetësor dhe personat mbi 80 vjeç; e dyta personat e brishtë pavarësisht nga mosha, të moshuarit nga 75-79 vjeç, duke zbritur gradualisht tek ata deri në 55 vjeç. Fasha e tretë janë personeli arsimor, policia, për të kaluar te faza e katërt e pjesës së mbetur të popullsisë mbi 16 vjeç. Shifrat i kanë transparente, nga numri i të vaksinuarve ditorë te përqindja e totalit të grupeve të synuara dhe ecurinë e pritshme.
Vendet në zhvillim, pjesë e skemës së Covax, kanë pasur më shumë probleme në sigurimin e vaksinës, me përjashtim të Serbisë, që ia ka dalë të administrojë 19 doza për 100 banorë (përkundrejt 0.15 Shqipëria), duke mos u varur vetëm te marrëveshja e Covax, por dhe vaksinat ruse e kineze.
Teksa Shqipëria ka filluar të marrë vaksina me pikatore dhe pret që pjesa më e madhe e dozave të vijnë nga shtatori (500 mijë të tilla janë siguruar sipas marrëveshjes me Pfizer dhe 360 mijë të tjera janë deklaruar nga kryeministri se janë në fazë negocimi), ajo që ka munguar dhe duhet të ishte e qartë për publikun është një plan për vaksinimin dhe afatet e pritshme.
Plani duhet të sqaronte:
-Cilat janë grupet prioritare që do të vaksinohen të parat dhe deri në çfarë afati do të arrijë të realizohet kjo?
-Sa kohë do të duhet për vaksinimin e plotë të sistemit shëndetësor, i cili është në vijën e parë të përballjes me virusin dhe që përfshin gjithsej 18.4 mijë punonjës (4650 mjekë dhe 13.7 mijë infermierë) dhe mbi 2 mijë të tjerë në spitalet private.
-Deri kur do të arrijnë të vaksinohen mbi 82 mijë të moshuar të moshës mbi 80 vjeç, që janë konsideruar si grup prioritar nga shtetet e tjera të botës, së bashku me personelin shëndetësor.
-Po mbi 500 mijë personave të tjerë mbi 60 vjeç, kur do t’u vijë radha?
-Sa është numri i personave me probleme shëndetësore i të gjitha grupmoshave, a janë ata të identifikuar dhe a ka ndonjë plan për t’i përfshirë në listën prioritare të atyre që do të marrin dozat?
Përtej shfaqjeve për pritjen e vaksinave në aeroport dhe dozave që po u jepen personaliteteve e ndonjë të moshuari në azile, ajo që kemi realisht nevojë të dimë është transparenca se si do të realizohet ky proces dhe sa do të zgjasë ai. Përndryshe, vendi do të vijojë të jetë në dorë të imunitetit të tufës (në prag të zgjedhjeve, qeveria nuk duket se e ka vullnetin ta luftojë përhapjen e pandemisë me masa kufizuese). Dhe siç kanë treguar shifrat e vdekjeve shtesë deri tani, ky imunitet po arrihet me pasoja mjaft të rënda!