Këto aksione, të kombinuara me aktivet që Isabel dos Santos zotëron në të paktën në një bankë në Angola, kanë bërë që pasuria e saj neto e saj të shënojë mbi 1 miliard dollarë, sipas një studimi nga “Forbes”, duke e kthyer atë në 40-vjeçaren e parë miliardere të Afrikës.
Një zëdhënës për Dos Santos në Portugali nuk i përgjigjet kërkesës për koment mbi statusin e pasurisë neto që ajo posedon.
Isabel dos Santos ka studiuar inxhinieri në Kolegjin Mbretëror në Londër, ku ajo jetonte me nënën e saj, e cila është divorcuar nga presidenti Dos Santos. Ajo hapi biznesin e saj të parë në vitin 1997, në moshën 24-vjeçare, në Luanda, Angola – një restorant i quajtur “Miami Beach”.
Ajo ka bërë një rrugë të gjatë që nga atëherë. Ajo merr pjesë në bordet e disa kompanive në Angola dhe Portugali dhe ka qenë e rëndësishme në marrjen e vendimeve të biznesit.
Në maj 2012, u raportua për rritjen e aksioneve të saj në “Zon Multimedia”, kompania televizive kabllore më e madhe në Portugali, nga 4.9% në 14.9%. Ajo më vonë rriti sërish aksionet e saj me anë të dy kompanive aksionere të saj, Kento dhe Jadeium, dhe tani zotëron 28,8% të ZON, me vlerë 385 milionë dollarë.
Ajo merr pjesë në bordin e Zon dhe është aksionerja më e madhe e kompanisë. Vajza e presidentit gjithashtu zotëron 19,5% të Banco BPI, një nga bankat më të mëdha të Portugalisë të listuara në bursë. Kjo përqindje ka një vlerë prej 465 milionë dollarësh.
Në Angola, Isabel dos Santos merr pjesë në bordin e “BIC Banco” dhe është raportuar se ajo ka në posedim 25% të aksioneve në bankë, një vlerë prej 160 milionë dollarësh. Disa burime të informuara rreth Telekomit në Angola thanë për “Forbes” se ajo merr pjesë në bordin e “Unitel” – një nga dy rrjetet e telefonave celularë të vendit – dhe është aksionere me 25%. Vetëm kjo përqindje aksionesh ka një vlerë prej 1 miliard dollarësh minimumi, sipas disa analistëve të Telekomit. Një zëdhënëse për Dos Santos në Lisbonë tha se ajo nuk mund të komentojë mbi pronat e Dos Santos në Angola.
Si mundi një 40-vjeçare që filloi vetëm me një restorant të vërë një pasuri kaq të madhe? Peter Lewis, një profesor i Studimeve të Afrikës në Universitetin Johns Hopkins për Studime të Avancuara Ndërkombëtare ka hedhur disi dritë mbi mënyrën se si është bërë biznesi në Angolë: “Është e qartë nëpërmjet punës së dokumentuar, se partia në pushtet dhe rrethi i ngushtë i presidentit kanë shumë interesa në biznes. Burimi i fondeve dhe qeverisja e kompanive janë shumë të zymtë”, shpjegoi Lewis. “Problemi qendror në Angola është mungesa e plotë e transparencës. Ne nuk mund të gjurmojmë prejardhjen e këtyre fondeve”.
Angola shtrihet në bregun perëndimor të Afrikës Jugore, një vend prej 18 milionë banorësh që jetojnë në një zonë të pasur me naftë dhe diamant rreth dyfishin e madhësisë së Teksasit. Vendi vuajti 27 vjet luftë civile, e cila përfundoi në vitin 2002.
Jose Eduardo dos Santos ka qenë president që nga viti 1979, katër vjet pasi vendi fitoi pavarësinë nga Portugalia.
Një zëdhënëse për Isabel dos Santos në Portugali thotë se deklaratat e profesorit janë spekulative, të paarsyeshme dhe pa merita akademike; ajo insiston se investimet e Dos Santos janë paraqitur me transparencën maksimale nga kompani të listuara publikisht të bazuara në ligjin europian.
Një faktor tjetër i rëndësishëm: ka një fluks të madh parash në Angola. Të ardhurat nga nafta u rritën papritur në vitet pas përfundimit të luftës civile, duke u ngjitur nga 3 miliardë dollarë në vitin 2002 në 60 miliardë dollarë në 2008, sipas Lewis.
“Ata janë duke ndrequr një numër të vogël rrugësh dhe ka disa hekurudha dhe ka shumë vinça në Luanda”, shpjegoi Lewis. “Por ata notojnë në para; 5 miliardë dollarë janë dokumentuar në transaksione financiare të paligjshme”.
Kjo nuk u përgjigjet specifikave të origjinës të pasurisë së Isabel Dos Santos, por ajo ofron një kontekst të dobishëm. “Forbes” synon të eksplorojë më tej në këtë çështje.