Nuk janë vetëm taksat!
Premtimet janë të shumta përpara zgjedhjeve. Në pjesën më të madhe, partitë përqendrohen në pika të prekshme, si taksat, pagat, ndërtimi i rrugëve, shkollave etj., pasi perceptohet që këta janë faktorët ndikues e që përkthehen direkt në vota.
Debati për taksat dhe pagat duket se është kryesori edhe këtë vit, pas angazhimit publik të Partisë Demokratike për uljen e ndjeshme të tyre. Nuk ka asnjë dyshim, që nga kahu i sipërmarrjes dhe i qytetarëve, sa më të ulëta të jenë taksat, sa më i thjeshtuar sistemi, sa më pak përjashtime të ketë dhe sa më pak hapësira të krijojë për shmangie fiskale, aq më mirë është.
Për më tepër që rritja e taksave në 7 vitet e fundit nuk rezultoi me ndonjë përmirësim të ndjeshëm të rendimentit fiskal dhe as ulje të qëndrueshme të borxhit publik (pa përfshirë periudhën e pandemisë, ku rritja e tij ishte e pashmangshme).
Por, problemi themelor i ekonomisë së vendit nuk janë vetëm taksat. Një raport i fundit i Akademisë së Studimeve Politike gjeti se si taksat e ulëta, ashtu dhe ato më të larta, nuk kanë shërbyer për të nxitur rritjen ekonomike të qëndrueshme në dekadën e fundit. Përfundimi se taksat e ulëta nuk arritën të frenonin ngadalësimin e rritjes ekonomike, por edhe taksat e larta nuk arritën të sillnin një rritje të qëndrueshme, tregon se përzgjedhja e taksave është element optimizues, por nuk është i mjaftueshëm për nxitjen e rritjes dhe zhvillimit ekonomik, thuhej në raport.
Në fakt, prej dekadash, vendi po vuan nga probleme të thella strukturore, nga kurthi i të cilave nuk po arrijmë të dalim. Bujqësia, e cila zë gati një të pestën e ekonomisë, mbetet e copëzuar dhe pa ekonomi shkalle, duke bërë që edhe sot, pavarësisht rritjes së eksporteve, shumë produkte të vazhdojmë t’i importojmë.
Vendi ka ende avantazh kryesor konkurrues koston e lirë të fuqisë punëtore dhe ka varësinë më të lartë të eksporteve nga një shtet i vetëm (Italia) si dhe nivelin më të ulët të produkteve e shërbimeve që shiten jashtë vendit (sipas Bankës Botërore, eksportet e mallrave dhe shërbimeve në raport me PBB-në për Shqipërinë ishin 31.6%, përkundrejt 62.3% në Maqedoni, 51% në Serbi dhe 44% në Mal të Zi). Ekonomia mbështetet te sipërmarrjet e vogla e vetëpunësimi, por edhe të mëdhenjtë janë të përqendruar kryesisht në tregti, që vetëm sa kanalizojnë importet.
Në Indeksin e Konkurrueshmërisë, Shqipëria renditet ndër të fundit e Europës, një tregues i produktivitetit të ulët në ekonomi, që përkthehet në pagat më të ulëta në rajon, por dhe nuk i mundëson vendit që të ketë një zhvillim cilësor. Rritja ekonomike është më shumë rastësore, e nxitur nga projekte të mëdha, si në rastin e gazsjellësit TAP (me përfitime të përkohshme) hidrocentralet mbi Devoll, apo dhe rënies së shiut, që nxit eksportet e energjisë.
Modeli ekonomik prej vitesh nuk po ndryshon. Vetë sipërmarrjet është normale që do të rendin drejt atyre investimeve me kthim më të shpejtë dhe më të lartë, ku më i preferuari po mbetet ndërtimi, pa vlerë të shtuar dhe duke rrezikuar një flluskë në të ardhmen.
Ekspertët pohojnë se duhet konsensus për strategji afatgjatë, që do të mund të gjenerojë një model të qëndrueshëm të zhvillimit dhe rritjes, me fokus te sektorët që kanë potencial për rritje të produktivitetit. Nëse ekonomia prodhon dhe fiton, zgjerohen investimet, sidomos ato në teknologji, rriten pagat dhe mbi të gjitha shtohen automatikisht të ardhurat në buxhet.
Ndaj dhe problemi kryesor i programeve të partive politike mbetet se nuk shkojnë përtej populizmit për të fituar sa më shumë vota dhe vizioni afatshkurtër. Ai është i lidhur edhe me mandatin 4-vjeçar të qeverive, por edhe me faktin që reformat e thella do të duan kohë të japin fryte dhe asnjë prej tyre nuk duket se ka pasur vullnetin politik të heqë dorë nga votat sot për të ofruar përmirësim të mirëqenies nesër dhe për brezat e ardhshëm.