“Kompanitë pa diversifikim do ta kenë të vështirë mbijetesën, çmimet do të rriten”
Klaudja Shtrepi, Menaxhere Marketingu në “New Century”
Kompanitë që nuk e kanë të diversifikuar portofolin e produkteve që ofrojnë do ta kenë të vështirë mbijetesën në kohën e koronavirusit. Klaudja Shtrepi, Menaxhere Marketingu në “New Centtury”, që ka si pjesë të portofolit edhe kafenë përmes “Ama Caffe”, vlerëson se mbyllja e kafeneve ka ndikuar gjerësisht kompanitë e kafesë, pasi pjesa kryesore e qarkullimit bëhej pikërisht nga këto njësi.
Ajo thotë se është rritur tendenca e porosisë së kafesë nga familjarët si dhe blerjes së ekspresëve, por kjo kurrsesi nuk e zëvendëson qarkullimin që bëhej përmes bar-kafeve. Shtrepi sjell në vëmendje edhe çmimet që pritet të rriten si pasojë i situatës së luhatjeve të kursit të këmbimit dhe çmimeve të lëndës së parë në tregjet e huaja.
Si është përshtatur kompania juaj me kushtet e reja të operimit që ka imponuar COVID-19 dhe lëvizja e kontrolluar e qytetarëve? Si funksionon puna e përditshme dhe shpërndarja?
Në vijimësi të rregullave të reja që qeveria nxjerr, kompania ka përshtatur realizimin e detyrave të secilit punonjës. Një pjesë e punonjësve të administratës po e kryejnë punën nga shtëpia, ndërsa forca e shitjes dhe shpërndarja e produkteve që konsumohen në shtëpi i janë përshtatur përmbushjes së rregullave të vendosura dhe kërkesës së konsumatorit. Kanalet e marketingut janë thelbësore dhe ndërmjetësit si distributorët; rrjetet e marketeve, dyqanet elektronike, eshop kanë luajtur rol të rëndësishëm në shpërndarjen kudo të produkteve të ama® caffè gjatë kësaj periudhe.
Cilat janë tendencat që keni vënë re në treg në kushtet e sotme? Flasim për tërheqjen e sasisë së kafesë nga familjarët, zyrat apo segmente të ngjashme…
Portofoli i produkteve është i diversifikuar, duke targetuar kanale të ndryshme shitje dhe segmenton profile të ndryshëm konsumatorësh. Është rritur shitja e produkteve të cilat konsumohen në shtëpi, si kapsulat për kafe ekspres; kafe turke dhe kafe e ftohtë me qumësht natyral dhe iced coffee.
Për shqiptarët, kafeja është shumë më tepër se produkt, është një stil jetese, për të ndërthurur argëtimin në kohën e lirë dhe ndërveprimin social me miq. Situata po zhvillon dhe përshtat nevojat e konsumatorëve, duke shijuar edhe konsumin e kafesë ekspres në komoditetin e shtëpisë. Kjo sjellje e zhvilluar në kushte të detyruara, mendoj se do të ndikojë edhe në qasjen konsumatore për të kuptuar përfitimet e të pasurit një ekspres në shtëpi. Prej 7 vitesh kemi futur kafenë kapsulë.
Ndër vite janë shtuar dashamirësit e saj duke na bërë pjesë të rutinës së përditshme dhe veçanërisht këtë periudhë, kur janë kufizuar alternativat e tjera të konsumimit të kafesë, është rritur konsumi i kapsulave në shtëpi. Gjatë kësaj kohe është rritur kërkesa për të blerë ekspres. Edhe pse është një situatë e vështirë edhe për biznesin, ne kemi bërë oferta promocionale për të mbështetur këtë investim që konsumatorët do të duhet të bëjnë gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë, kanali i shitjes në zyra është ndikuar sipas gjithë kufizimeve që janë bërë, për t’u pezulluar zhvillimi normal i biznesit në disa industri.
Si ka ndikuar mbyllja e bareve dhe restoranteve në qarkullimin ditor? Sa ju ka prekur kjo pjesë?
Produktet barista zënë një peshë të rëndësishme në qarkullimin e kompanisë, gjithashtu është produkti kryesor në industrinë e kafesë. Ndikimi është shumë i lartë dhe i pakompensueshëm, pavarësisht trendit rritës që kanë produktet e tjera zëvendësuese për kategorinë në familje.
Cilat janë produktet më të shitura në gamën që ju ofroni gjatë këtij një muaji të karantinës?
Produkti më i shitur është ama® kapsulë, zëvendësuesi i drejtpërdrejtë i kafesë ekspres, të cilët konsumatorët e kanë të ndaluar ta konsumojnë në bare dhe restorante.
A po vijoni me pjesën e marketingut gjatë kësaj periudhe apo jeni tërhequr, ashtu sikurse ka ndodhur me pjesën më të madhe të sektorëve?
Strategjia e komunikimit marketing sigurisht që ka ndryshuar, duke ju përshtatur situatës. Siç e përmenda, është rritur shumë kërkesa për blerjen e ekspresëve dhe ne po ofrojmë të gjithë llojet e modeleve të ekspresëve me çmime promocionale. Dërgesat janë falas në të gjithë Shqipërinë.
Cilat janë vështirësitë me të cilat po përballet sot industria e kafesë për shkak të situatës?
Kafe kokërr ekspres zë peshën më të madhe në industrinë e kafesë. Pasojat financiare do të jenë shumë të larta dhe do të thellohen me zgjatjen e situatës. Shumë kompani, të cilat nuk kanë portofol produktesh të diversifikuara për të zëvendësuar shitjen e këtij produkti, do të kenë vështirësi për të përballuar edhe kostot administrative dhe operative që janë shumë të larta.
A po vijoni me importin normal të produkteve dhe a keni pasur probleme në hallkat që duhet të kalohen?
Importi vijon normalisht, besoj që nuk do të hasim probleme. Duke parë trendin global të ekonomisë, kursin e këmbimit, i cili ka pasur luhatje të konsiderueshme në një periudhë të shkurtër, ndryshimin e çmimeve në lëndën e parë, biznesi do të jetë i detyruar t’i reflektojë në rritjen e çmimeve.