Bizneset e mëdha po investojnë më pak
Rënia e besimit të biznesit dhe nga situata e perceptuar ekonomike dhe perspektiva e saj, citohen si një nga arsyet që ka ndikuar në uljen e kërkesës. Në kahun tjetër, vetë bankat perceptojnë se rreziku është shtuar si në situatën e përgjithshme ekonomike, ashtu dhe aftësinë e bizneseve për të paguar.
Banka e Shqipërisë publikoi vrojtimin për aktivitetin kreditues për tremujorin e dytë të vitit, ku thotë se Bankat tregtare vlerësuan se mbajtën të pandryshuara standardet për kreditë dhënë bizneseve gjatë tremujorit të dytë të vitit 2019. Kërkesa për kredi, nga ana e bizneseve, sipas opinionit të bankave, ishte më e ulët në tremujorin e dytë, si në segmentin e biznesit të madh, ashtu edhe në atë të mesëm e të vogël, e ndikuar nga kreditë me qëllim investimi. Kërkesa për kredi në financimin e nevojave për likuiditet u perceptua më e lartë në tremujorin e dytë.
Bankat, nga ana e tyre, kanë perceptuar një rrezik të shtuar si nga situata e përgjithshme ekonomike, ashtu dhe kapaciteti i bizneseve për të kthyer huanë.
Standardet e kreditimit për individët, në gjykimin e përgjithshëm të bankave, ishin pak më të lehtësuara se një tremujor më parë, si në kreditë konsumatore ashtu edhe në ato për blerjen e banesave. Kërkesa për kredi konsumatore u perceptua më e ulët, ndërkohë që ajo për blerjen e banesave u raportua disi më e lartë.
Standardet e kreditimit vlerësohen të mbeten të pandryshuara për bizneset, ndërkohë që ato për individët priten të lehtësohen disi në tremujorin e tretë të vitit 2019. Kërkesa për kredi e bizneseve në tremujorin e tretë, sipas gjykimit të bankave, pritet të jetë më e ulët, e kushtëzuar nga reduktimi i kërkesës për kredi me qëllim investimi. Individët priten të shfaqin një kërkesë më të gjallëruar në tremujorin e tretë, nxitur nga kërkesa më e lartë si për kredi konsumatore, ashtu edhe për blerje banesash.
Bankat perceptuan se kërkesa më e ulët për kredi, në tremujorin e dytë të vitit, u atribuohej: nevojave më të ulëta për financimin e investimeve dhe për rifinancimin e borxheve ekzistuese; përdorimit më të lartë të burimeve të brendshme të financimit nga ana e bizneseve; si dhe perceptimit për kushte jo të favorshme të financimit, nxitur kryesisht nga rënia e besimit të biznesit dhe nga situata e perceptuar ekonomike dhe perspektiva e saj. Në kahun rritës të kërkesës për kredi u raportuan kërkesa më e lartë e bizneseve në mbulimin e nevojave për likuiditet, si dhe shtimi i nevojës për financim, si pasojë e ristrukturimit të kompanive.
Bankat shtrëngojnë kushtet për bizneset
Kushtet dhe termat e përgjithshëm mbi kreditë e reja akorduar bizneseve u shtrënguan disi nga një tremujor më parë. Shtrëngimi i lehtë i kushteve dhe termave të kreditimit për bizneset u arrit nëpërmjet aplikimit të marzheve disi më të larta mbi kreditë me rrezik, si dhe nëpërmjet shtrëngimit të lehtë të kushteve të tjera joçmim. Këto të fundit u shprehën nga reduktimi i madhësisë së kredisë, si dhe nga rritja e kushtëzimeve në marrëveshjet e kredisë për bizneset. Në kahun lehtësues të kushteve dhe termave të kreditimit u raportuan marzhet më të ulëta mbi kreditë normale.
Faktorët që përcaktuan shtrëngimin e lehtë të kushteve dhe termave të kreditimit ishin të lidhur me kostot më të larta të fondeve dhe kufizimet nga bilanci, si dhe me perceptimin e bankave për rrezik të shtuar.
Bie kërkesa për kredi nga bizneset e mëdha
Kërkesa për kredi e bizneseve u perceptua në rënie edhe në tremujorin e dytë të vitit 2019. Kërkesë më e ulët se një tremujor më parë u raportua për kreditë e marra me qëllim investimi, ndërkohë që për ato të përdorura në financimin e nevojave për likuiditet, kërkesa u perceptua më e lartë. Parë në prizmin e madhësisë së biznesit, rënia më e theksuar e kërkesës për kredi u vlerësua nga ana e bizneseve të mëdha.
Kërkesa për kredi e ulët dhe në vijim
Në tremujorin e tretë të vitit 2019, bankat presin një kërkesë më të ulët për kredi nga bizneset, e drejtuar nga pritjet për një kërkesë të dobët të kredisë për investime, ndërkohë që kërkesa për kredi në financimin e nevojave të likuiditetit vlerësohet të mbetet e pandryshuar. Në këndvështrimin e madhësisë së biznesit, pritjet janë për një kërkesë thuajse të pandryshuar për kredi në tremujorin e tretë, si nga bizneset e vogla e të mesme, ashtu edhe nga bizneset e mëdha.
Standardet e kreditimit
Sipas opinionit të bankave tregtare, standardet e kreditimit për bizneset në tërësi mbetën thuajse të pandryshuara në tremujorin e dytë. Standarde të njëjta kreditimi me një tremujor më parë u raportuan si në kreditë dhënë me qëllim financimin e investimeve, ashtu edhe në ato për plotësim të nevojave për likuiditet nga ana e bizneseve. Në kategorinë e bizneseve të vogla e të mesme, standardet e kreditimit u lehtësuan disi, ndërkohë që për kreditë dhënë bizneseve të mëdha, standardet mbetën të pandryshuara.
Për tremujorin e tretë, bankat vlerësojnë se nuk do të ketë ndryshime në standardet e kreditimit për bizneset, si në aspektin e madhësisë së biznesit, ashtu edhe në atë të qëllimit të përdorimit të kredisë.
Si faktorë me ndikim pozitiv në lehtësimin e standardeve të kreditimit për bizneset, bankat raportuan shtimin e konkurrencës në sistemin bankar, si dhe kostot dhe kufizimet më të ulëta që burojnë nga pozicioni kapital apo i likuiditetit të bankave. Në kahun shtrëngues të standardeve të kreditimit vepruan faktorët e lidhur me perceptimin e rrezikut nga ana e bankave, që janë: aftësia paguese e kredimarrësit, situata ekonomike dhe perspektiva e saj, si dhe rreziqet lidhur me kolateralin. Po ashtu, edhe toleranca më e ulët e bankave ndaj rrezikut ndikoi në shtrëngimin e standardeve të kreditimit.